Puna Kërkimore në Universitetet Shqiptare

Pas grevës së pedagogëve për ngritje rroge gjatë vitit akademik 2005-2006, e cila paralizoi sistemin universitar për pothuajse një muaj a më shumë, pagat e pedagogëve u rritën ndjeshëm, por ndodhi ajo që mund të përkufizohet si “merr borxh të lashë huan”. Dua të them, u shkurtuan një sërë shërbimesh me pagesë që bënin pedagogët,…

Pas grevës së pedagogëve për ngritje rroge gjatë vitit akademik 2005-2006, e cila paralizoi sistemin universitar për pothuajse një muaj a më shumë, pagat e pedagogëve u rritën ndjeshëm, por ndodhi ajo që mund të përkufizohet si “merr borxh të lashë huan”. Dua të them, u shkurtuan një sërë shërbimesh me pagesë që bënin pedagogët, duke i kthyer ato në “detyra” “vullnetare”. Ja disa: a) pedagogët nuk paguhen më për orët që harxhojnë duke korrigjuar provimet, b) duke ndihmuar një tjetër pedagog në mbarëvajtjen e seancave të provimeve, c) nuk paguhen më për konsultime që studentët mund të kërkojnë jashtë orëve standarde të mësimeve dhe ç) më kryesorja, nuk paguhen më për të korrigjuar punët kërkimore të studentëve të mirënjohura si “detyra kursi”. Kjo është situata.

Cilat janë pasojat: a) provimet korrigjohen shkel e shko; b) pedagogët duhet të përdorin kohë e lirë për të ndihmuar pa pagesë një koleg të tyre; pedagogët duhet të përdorin njohjet e tyre për tu ndihmuar nga një koleg i tyre; c) pedagogët bëjnë konsultime pa pagesë, duke humbur kështu kohë nga koha e tyre ose nuk begenisin të bëjnë konsultime fare edhe kur u kërkohet kjo gjë; dhe ç) ka pasur disa orvatje për t’i hequr komplet punët kërkimore studentore, përkatësisht detyrat e kursit, nga jeta akademike e studentëve. Edhe pse kjo nuk është arritur një qind për qind, edhe ata pedagog, që gënjejnë veten, eproret ose studentët se bëjnë japin detyra kursi për studentët, nuk i lexojnë ato.

Duke i shpërfillur me dhimbje tre pikat e para do të përqendrohemi tek e katërta dhe e fundit. Bëhet fjalë për mungesën totale ose prezencën sakate të punëve kërkimore të studentëve. Siç ka bërë bujë, universitetet shqiptare u anëtarësuan në rrjetin e universiteteve që operojnë me programin dhe sipas modelit të universitetit të Bolonjës, i ashtuquajturi “Procesi i Bolonjës”. Këtë e trumbetuan, e trumbetojnë dhe do të vazhdojnë ta bëjë këtë qeveritarët tanë, pa dallim ngjyre politike në këtë pikë. E thënë më fjalët të tjera, ministra, drejtorë arsimi, rektorë, dekanë, shefa departamentesh etj, mburren gjithandej me risinë që po i sjellin universitetit shqiptar, sikur të jetë shpikje tyre, dhe pakëz e zbatojnë konventën në fjalë. Shembulli më konkret ka të bëjë, siç e thamë ka më lartë, më temën e këtij shkrimi.

Për çfarë bëhet fjalë: thamë që anëtarësimi në rrjetin e universiteteve të Procesit të Bolonjës u mirëprit nga të gjitha, por politikat e arsimit në Shqipëri duket se po veprojnë nën rrogoz duke i bërë puç suksesit të këtij anëtarësimi dhe ecje përpara të arsimit të lartë shqiptar. Po ndodh pak a shumë siç ndodhi me ideologjinë komunistë të cilën shumë e përqafuan, por asnjë nuk e zbatoi, duke qenë se nuk ishte e mundur, por e modifikoi sipas qejfit të vet. A është kjo e mundur edhe në arsimin e lartë me rastin e Procesit të Bolonjës? Shikoni se çfarë thotë marrëveshja e anëtarësimit në këtë Proces, e cila u firmos me pompozitet nga kompetentet e arsimit të lartë në Shqipëri. Në librin “Bolonja në 7 hapa”, Përmbledhje e dokumenteve kryesore të procesit të Bolonjës, botim i fondacionit Soros, botuar në Tiranë në vitin 2004, gjendet se ndër mjetet përmes të cilëve do të përmbushen objektivat e këtij është edhe ai se: “Rekrutimi i mësimdhënësve dhe rregullimi i statusit të tyre t’i nënshtrohet parimit se kërkimi është i pandarë nga mësimdhënia”.1)

Pra, fakti që në universitet puna kërkimore na qenka e po aq e vlefshme sa ana teorike e studimeve qenka parim. Si po e përbush qeveria shqiptare këtë parim? Përgjigjja: Duke mos i paguar personat përgjegjës për mbarëvajtjen e këtyre punëve. Si po e përmbushin rektoratet këtë parim? Përgjigja: Duke qepur sqepin e duke pretenduar se nuk po ndodh gjë. Si po e përmbushin Pedagogët këtë parim? Përgjigja: Duke bërë sikur japin detyra kursi ose duke e thënë troç, që ata nuk paguhen për këtë punë. Po studentët?! Përgjigja: Eh, studentët; ata bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh dhe fërkojnë duart nga kënaqësia kur nuk u ngarkohen detyra të tilla. Është për të qarë që pjesa dërrmuese e studentëve nuk duan të bëjnë punë kërkimorë, e me keq se kaq është se ata as që e kanë idenë se si bëhet një gjë e tillë monstruoze.

Pas gjithë kësaj që thamë na del që llogaria e qeverisë “merr borxh të lash huan” dështoi.

Lind nevoja urgjente që të rishikohen edhe në herë pagat shtesë të pedagogëve për mos të kthyer arsimin e lartë në një institucion që gjallon gjysmë sakat. Kjo duhet bërë sepse a) kjo është pjesë e marrëveshjes së procesit të Bolonjës; b) kjo është në të mirë të rritjes dhe ecjes përpara të universitetit dhe të studentëve; c) kjo është një nevojë që duhet përmbushur në kohë për të pasur përparim dhe prosperitet si komb, duke qenë se universitetit është një nga institucionet më të rëndësishme të një vendi. Po nuk mësuam se si bëhen punët kërkimore në universitet, ku do të mësojmë vallë?

1) Gjovalin Shkurtaj e të tjerë., Hyrje në metodikën e punës shkencore, SHBLU (Tiranë, 2004), f. 9, duke cituar nga libri Bolonja në 7 hapa.

Lini një Përgjigje