Gjak Fshatari

Vajta edhe unë të dhuroj gjak. Erdhi një nga ato të veshurat me të bardhë dhe më mori pak për ta analizuar. U kthe pas pak minutash dhe më tha, “Ti çuni nuk ke gjak të përshtatshëm për të dhuruar; ke gjak fshatari.”

Kruajta njëherë zërin dhe i ia ktheva, “E para e punës, mos më thuaj mua ‘çuni’, po më thuaj ‘zotëri’. E dyta, unë nuk jam fshatar”, dhe i nxora vërtetimin e pasaportizimit nga xhepi i pasmë ku e kisha palosur në katërsh dhe e kisha vënë për ta mbajtur ngrohtë.

“S’më interesojnë fletat mua,” më tha. “Shkenca flet ndryshe. Ti ke gjak fshatari në vena dhe kjo nuk diskutohet. Gjaku yt nuk bën për dhurim.”

“Po normale,” më tradhtoi vetja, “gjaku fshatarëve bën vetëm për t’u derdhur në luftë, se qytetarëve nuk ua mban.” Ishte hera e parë që fshatari që kisha varrosur shtatë pashë brenda vetes të plaste kështu si puseta e lagjes në vjeshtë.

Duke qenë se nuk e kundërshtoja dot shkencën dhe as këtë poture-ngushtën që, e prekur nga fjalët e mia, i kishte vënë vetullat njëra mbi tjetrën, u afrova pak dhe e pyeta me zë të ulët. “Si i bëhet që ta ndryshoj gjakun unë? Ka ndonjë zgjidhje?”

“Po zotëri, ka,” më buzëqeshi. “Mund të vini tek klinika jonë private ‘Zekaj’ çdo ditë të javës dhe të bëni transfuzion total gjaku, ku do të të heqim gjakun tënd dhe do të hedhim gjak qytetari vlonjat trishekullor.”

“Çfarë mrekullie!” i thashë dhe zemra sa s’po më dilte nga kraharori. “Po sa kushton?”

“50 mijë euro të gjelbta.” më tha, sikur të qe e bija e Koços. M’u prenë gjunjët.

“Po ku t’i gjej unë 50 mijë euro!” ia ktheva me një shtresë trishtimi bio në fytyrë.

“Pa problem. Mund të marrësh kredi te banka FAK,” më sqaroi më tej. “Fondi Amshimit Katundar, gjatë. Ne kemi kontratë me ta pikërisht për trajtimin e kësaj sëmundjeje.”

Nga emri m’u duk pak me të futur, por nuk mund të humbisja shansin e jetës time për t’u bërë qytetar autokton për dyshime të parëndësishme. Kështu që i mora adresën nxitimthi kësaj shoqes me streçe dhe u nisa direkt për të aplikuar për kredi.

Mbërrita. Shtyva derën. Ishte mbyllur. Tabela thoshte: “E hënë – E premte.” Ishte e shtunë. Bërtita sa kisha në kokë. U zgjova…

Një përgjigje

  1. Avatar Jusufi
    Jusufi

    Tash do ti kesh ba paret po… 🙂 Nuk duhet t’i gjykojnë njerëzit prej gjanave që nuk janë n’doren e tyre!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *