Nga Sipërmarrës në Mitëmarrës

Kush nuk do të jetë i pasur?! Shumë prej nesh na është mësuar që t'i urrejmë të pasurit, por brenda vetes e dimë shumë mirë që do të donim të ishim si ata, të kishim si ata. Ne jemi krijuar kështu, të pangopur në një farë mënyre. Krijuesi ynë thotë në Kuran: “Dhe pasurinë e…

Kush nuk do të jetë i pasur?! Shumë prej nesh na është mësuar që t’i urrejmë të pasurit, por brenda vetes e dimë shumë mirë që do të donim të ishim si ata, të kishim si ata. Ne jemi krijuar kështu, të pangopur në një farë mënyre. Krijuesi ynë thotë në Kuran: “Dhe pasurinë e doni së tepërmi.” [89:20]. Kjo prirje e natyrshme tek njeriu bën që njeriu ta synojë këtë, pasurimin e tij. Kjo e bën njeriun të jetë nga natyra sipërmarrës.

Por ka një problem, njeriu është qenie sociale dhe mëson nga ambienti kur rritet dhe jeton, nga prindërit dhe nga shoqëria. Dhe ne kemi, fatkeqësisht, një model shumë të gabuar në këtë drejtim.

Shumica e prindërve tanë e kaluan jetën e tyre nën komunizëm, nga vegjëlia deri sa dolën në pension. Ata u privuan nga pothuajse çdo lloj aktiviteti sipërmarrës. Suksesi nën komunizëm ishte biografia e mirë, shkollimi dhe një punë e rehatshme. Komunizmi ra bashkë me vendet e punës që prodhoi, por modeli mbeti. Ky model vazhdon edhe sot. Të rinjve u thuhet që rruga drejt suksesit financiar është shkollimi dhe një vend pune i rehatshëm, mundësisht me rritje inkrementale rroge. Kjo është çfarë prindërit tanë presin nga ne dhe kjo është çfarë ne presim nga vetja gjithashtu, fatkeqësisht.

Por ky model ka një problem të madh, bije ndesh me natyrën njerëzore. Ky model presupozon që njeriu nga natyra është skllav, ndërkohë që njeriu është qenie sipërmarrëse. Dhe dhunimi i natyrshmërisë njerëzore prodhon monstra.

Ne sot jemi gjykatës, mjekë, infermierë, mësues, pedagogë, policë, tatimorë, punonjës administrate, deputetë dhe jemi monstra. Në mungesë të theksuar të në boshti moral dhe të tërhequr prej hunde nga dëshira jonë, e ndrydhur që për së vogli, për të pasur, ne jemi sot nga kombet më të korruptuara në botë. Prej më shumë se 23 vitesh demokraci, dyert në Shqipëri hapen nga një trokitje me ritëm mitmarrjeje. Kjo sepse ne kemi zgjedhur modelin e gabuar për t’u pasuruar dhe jemi shndërruar nga qenie sipërmarrëse në qenie mitëmarrëse.

Ne jemi sot gjithashtu njerëz që punojmë në sektorin privat, të nënarsimuar, që nuk e duam punën dhe që mezi presim të vijë shansi jonë për në Postin e Premtuar, në administrate. Atje pasurohet shqiptari.

Për sa kohë që nuk do të ndryshojmë mendësinë tonë për suksesin financiar, gjërat nuk do ndryshojnë shumë, sepse këto janë gjëra që nuk ndryshojnë nga lartë. Prandaj ajo që duhet të bëjmë është ta ushqejmë natyrën tonë sipërmarrëse, në vend që ta ndrydhim. Të mësojmë fort dhe të punojmë fortë për të realizuar projektet tona, duke i dhënë vetes mundësinë që të arrijmë nivele të suksesit financiar që modeli i vjetër as që nuk i ëndërron. Dhe mos harroni, ndershmëria është rruga drejt suksesit financiar.

Si përfundim, do doja të përkujtoja që pasurimi nuk është qëllimi. Qëllimi është mundësia që na jepet duke u pasuruar që t’i shërbejmë vetes, familjes dhe komunitetit. Sepse paraja të bën të lumtur vetëm duke e dhënë.

One Comment

Eriomina 13 Dhjetor, 2014 Reply

Shkrim shume i bukur. Mbyllje mbreslenese.

Lini një Përgjigje te Eriomina Anuloje përgjigjen