Postuar fillimisht në Facebook.
Në kafen e zakonshme pas xhumasë, Hoxha im dhe disa shokë më bënë një “gjyq informal” për akuzën e rëndë që i bëra një hoxhe nga Kosova si propagandist pro-izraelit.
Pasi pranova që akuza ishte e rëndë, unë këmbëngula që myslimani nuk mund të sulmojë Iranin gjatë këtij konflikti, sepse kjo nënkupton që ai mban anën e agresorëve. Ata nuk ndanin këtë mendim, duke pretenduar neutralitet dhe duke më rikujtuar të zezat që ka bërë Irani ndaj sunive dhe në fund më ftuan të kthehesha tek dijetarët e sunetit sepse dukej që kisha ndikime nga menhexhe të pasakta, siç ma kërkon edhe hoxhë Edisoni në komentin më sipër.
Kjo ngre pyetjen, çfarë është menhexhi?
Menhexhi, si pak gjëra, ka dy përkufizime, një teorik dhe një praktik. Teoriku është: metodologjia e të kuptuarit dhe të praktikuarit të fesë bazuar në Kuran dhe Sunet sipas kuptimit të tri brezave të parë. Ai praktik është: pretendimi i ndjekjes së tri brezave të parë, por vlerësimi i çdo çështjeje, veçanërisht i atyre me natyrë politike, sipas filtrit të dijetarëve të Arabisë Saudite të shekullit XX – XXI dhe të Shejh Albanit, kur ai përputhet me ta.
I aplikuar në terren, menhexhi trajton pothuajse ekskluzivisht marrëdhëniet e muslimanit me pushtetin. Pozicioni zyrtar dhe i vetëm i menhexhit është bindja absolute ndaj pushtetit (political quietism). Asnjë qasje alternative, edhe nëse vjen e argumentuar nga tri brezat e parë, jo vetëm që nuk është e pranueshme, por është dalje nga menhexhi. Për këtë janë shpikur dhjetëra kategori bidatçinjsh, ku më i madhi dhe më heterogjeni është ai i ihuanëve.
Për ilustrim, një fetva të freskët nga Saudia që qarkullon në faqet e xhelatëve të menhexhit mbyllet me këto rreshta: “[Kjo] është çështje e politikës që i përket vetëm udhëheqësit të shtetit, i cili ndërmerr hapat e duhur për të realizuar interesat dhe për të larguar dëmet. Prandaj, nuk lejohet që të fusësh hundët në këto çështje që i përkasin udhëheqësit të shtetit dhe as nuk duhet të bëhet pështjellim te këto çështje.”
Menhexhi është jashtëzakonisht i qartë dhe i prerë, duke kërkuar bindje absolute në çështjen e:
- Të folurit publik kundër qeverisë,
- Të protestuarit kundër qeverisë,
- Të rebeluarit me armë kundër qeverisë.
Edhe pse për pikën e tretë ka një ujdi pothuajse absolute tek muslimanët e sotëm, satëra e menhexhit qëndron gati mbi çdo qafë që guxon të diskutojë lejueshmërinë e të folurit publikisht kundër qeverisë apo të dalit në protesta. Ajo lëshohet mbi çdo qafë që guxon të devijojë nga kjo vijë, duke e shpallur pakthyeshmërisht bidatçi, pa të drejtë pendimi.
Kjo nuk ndodh vetëm në mbretëritë absolute apo diktaturat ushtarake të Lindjes së Mesme, ku përgjithësisht ndalohet dhe ka pasoja ligjore të flasësh kundër shtetit apo të organizosh protesta. Rrjeta e tebdi-es shtrihet në çdo cep të globit, përfshirë tonin, për të kapur çdo bidatçi potencial që guxon të mbajë qëndrim ndryshe për këto dy çështje, pavarësisht realitetit politik të vendit ku banon.
Përpara se dikush të arrijë në përfundimin e gabuar, këto rreshta nuk synojnë aspak të kritikojnë realitetin politik të Arabisë Saudite apo vendeve të tjera të Gjirit. Ato janë entitete politike me realitete dhe interesa specifike dhe veprojnë sipas asaj që ata e shohin të arsyeshme. Jo vetëm kaq, por ne si muslimanë shqiptarë kemi pasur përfitime të panumërta nga ndihma dhe kujdesi që këto shtete kanë treguar ndaj nesh.
Ajo që dua të vë në dukje është fakti që realiteti politik i atyre vendeve nuk është aspak i ngjashëm me realitetin politik në Shqipëri dhe Kosovë. Si rrjedhim, këmbëngulja e hoxhallarëve që muslimani shqiptar duhet të besojë dhe të sillet politikisht si të ishte shtetas saudit është tërësisht e pajustifikuar fetarisht dhe kundër interesit tonë kolektiv.
Shumë syresh garojnë se kush e mbron më mirë Saudinë tek xhemati shqiptar dhe gjithashtu kërcënojnë me satërën e menhexhit kolegët e tyre që mund të tentojnë të jenë më fleksibël në temën e bindjes ndaj të parit.
Për ilustrim, një hoxhë me kontribut nga Kosova, para shumë muajsh, kritikoi hapur protestat kundër genocidit sepse në to kishte përzierje dhe muzikë. Nga një kërkim në profilin e tij në Facebook atëkohë, ai nuk kishte thënë asnjë fjalë publike kundër genocidit në Gaza. Edhe pse e kishte përmendur Gazën dy herë, në të dyja rastet mbronte Arabinë Saudite kundër atyre që e kritikonin pse nuk kishte bërë mjaftueshëm për të ndalur genocidin.
Ky hoxhë nuk e ka vërtet problemin me paefektshmërinë e protestës dhe gjynahet e supozuara gjatë saj, të cilat ai dhe shumë të tjerë i konsumojnë edhe vet kur shkojnë të pinë kafe në çdo lokal me muzikë në sfond dhe femra rrotull. Problemi real është normalizimi i protestës si formë e komunikimit me pushtetin që, edhe pse mijëra kilometra larg, cenon status quo-në e vendeve të Gjirit e veçanërisht të Saudisë.
Një tjetër ilustrim për këtë pikë është fakti që gjatë Genocidit, kur u rihap debati mbi protestat, shumë hoxhallarë qarkulluan mes veti një fetva të Shejh Uthejminit ku ai shprehet se protestat janë të lejuara në vendet që i lejon ligji. Por kjo fetva nuk u bë kurrë pjesë e debatit publik, duke e fshehur qëllimisht, për të mos dalë nga vija zyrtare e menhexhit që portestat nuk lejohen, për të mos dalë nga qëndrimi zyrtar i dijetarëve të Saudisë.
Edhe pse të vetëdijshëm që dijetarët e Saudisë kanë prioritet interesat e shtetit saudit dhe qytetarëve të tij, hoxhallarët tanë nuk guxojnë që të kenë prioritare interesat e vendit dhe xhematit të tyre, nëse kjo kërkon devijim nga vija zyrtare e menhexhit në qëndrimin e bindjes ndaj të parit. Ngurtësia në këtë pikë ka shkaktuar frustrim të dukshëm tek xhemati dhe inflacion të influencës së hoxhës.
Obsesimi me ndjekjen e përpiktë të menhexhit sipas modelit Saudit, ka shkaktuar apati totale tek xhemati, duke shkaktuar një tërheqje të vetëdijshme nga çdo angazhim qytetar dhe duke ia dorëzuar farzet kifaje të vendit ekskluzivisht qytetarëve “jashtë menhexhit”.
Një shembull rrëqethës në këtë pikë është mungesa e reagimit adekuat për aleancën që qeveria jonë bëri me Izraelin ndërkohë që Izraeli kryente genocid mbi vëllezërit tanë. Këtë realitet turpërues e përshkroi saktë Andi Bushati pak kohë më parë kur tha se “myslimanët janë shumicë që sillen si pakicë e tredhur”.
Tredhja e xhematit, vetizolimi, braktisja e sferës publike, abstenimi ndaj padrejtësive që vijnë nga lartë si zaptimi dhe grabitja e të mirës së përbashkët, keqqeverisja ekstreme dhe bashkëfajsia në Genocid është rezultat i drejtpërdrejtë i ushqimit të xhematit si kaposh deti para Vitit të Ri me idetë e padiskutueshme të bindjes absolute ndaj të parit.
Ky realitet i trishtë buron drejtpërdrejtë nga fakti që hoxhallarët tanë e kanë lidhur pazgjidhshmërisht menhexhin e saktë, thënë ndryshe, qëndrimin e saktë politik të myslimanit, me establishmentin fetar të Arabisë Saudite, ku shumica prej tyre janë arsimuar. Këtë e ka salduar me tej fakti që shumë nga këta hoxhallarë dhe shoqatat që ata kanë themeluar ose për të cilat punojnë varen financiarisht nga vendet e Gjirit. Kjo e bën të vështirë ndryshimin, por jo të pamundur.
Unë besoj se shumë prej hoxhallarëve e kanë brumin dhe guximin intelektual ta ndajnë realitetin politik në Saudi nga ai në Kosovë dhe Shqipëri dhe të fillojnë të jetojnë dhe veprojnë fetarisht në vendin ku jetojnë.
Hapësira fetare ekziston, heshtja politike (political quietism) nuk është qasja e vetme e saktë, në mos është qasja e gabuar, në të shumtën e rasteve. Siç e shpreh hoxhë Justinian Topulli: “[N]daj kësaj çështjeje mes myslimanëve gjen disa qasje, që lëvizin nga abstenimi gati absolut dhe distancimi i plotë, duke e parë pushtetin si vend fitneje dhe tundimi, duke vazhduar tek afrimi i kujdesshëm, e duke shkuar deri tek integrimi i plotë në të, pa harruar këtu edhe qasjen e rebelimit dhe luftës. Do të gjesh në historinë islame shembuj nga të gjitha këto, e madje edhe nga njerëz të mirë e figura të njohura.”
Prandaj përfillja e hoxhallarëve ndaj realitetit vendor dhe heqja e satërës së menhexhit nga qafat e njëri-tjetrit, është udha për të qepur në kohë skizmën që është krijuar mes xhematit dhe hoxhallarëve përkatës dhe zgjidhja për të ndaluar përfundimin e figurës së hoxhës në irelevancë të plotë. Një realitet ku xhemati nuk e sheh më vetën të përfaqësuar nga hoxhallarët e vet duhet shmangur me çdo kusht për të mirën e të gjithëve.
_____________
* SATËRË: Lloj sëpate me teh të gjerë, që përdorej si armë a si mjet për t’u prerë kokën të dënuarve me vdekje.

Lini një Përgjigje