Pesë herë në shqip

A e dini se poezia If e Rudyard Kipling është përkthyer pesë herë në shqip? Ja provat një për një:

If

If you can keep your head when all about you
Are losing theirs and blaming it on you,
If you can trust yourself when all men doubt you,
But make allowance for their doubting too;
If you can wait and not be tired by waiting,
Or being lied about, don’t deal in lies,
Or being hated, don’t give way to hating,
And yet don’t look too good, nor talk too wise:

If you can dream – and not make dreams your master,
If you can think – and not make thoughts your aim;
If you can meet with Triumph and Disaster
And treat those two impostors just the same;
If you can bear to hear the truth you’ve spoken
Twisted by knaves to make a trap for fools,
Or watch the things you gave your life to, broken,
And stoop and build ‘em up with worn-out tools:

If you can make one heap of all your winnings
And risk it all on one turn of pitch-and-toss,
And lose, and start again at your beginnings
And never breath a word about your loss;
If you can force your heart and nerve and sinew
To serve your turn long after they are gone,
And so hold on when there is nothing in you
Except the Will which says to them: “Hold on!”

If you can talk with crowds and keep your virtue,
Or walk with kings – nor lose the common touch,
If neither foes nor loving friends can hurt you,
If all men count with you, but none too much;
If you can fill the unforgiving minute
With sixty seconds’ worth of distance run,
Yours is the Earth and everything that’s in it,
And – which is more – you’ll be a Man, my son!

Rudyard Kipling (1865-1936)

Në munç

Në munç të mbash në kokë terezinë,
Kur shokët çmenden dhe fajtorë të nxijnë,
Në munç të kesh besim, kur të dyshon
Kushdo dhe ska njeri që të beson;
Në munç te preç dhe pritjen se kursen,
Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen,
Në të urrefshin ti s’i çan me brirë,
Dhe s’hiqesh as më i mençmi as më i mirë:

Në munç të çnderosh e të mejtosh,
Dhe nga këto në mos u robërofsh,
Në munç të preç Triumfin dhe hatanë,
Dhe t’i shkelmosh të dy si kapllazanë;
Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dredh,
Të drejtën dhe në lak syleshin hedh,
Kur sheh kalanë e jetës te rrëzuar,
Dhe prapë e ngre me veglën e çkallmuar:

Në munç të vesh mbi grumbull çdo thesar,
Edhe t’i loç të gjitha me një zar,
T’i humpç edhe të nisësh përsëri,
Pa thënë asgjë per këtë batërdi;
Në munç të kesh një zemër, trup e kokë,
Që të shërbejnë sa të bëhen trokë,
Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë,
Dhe të thërret vullneti: Mbahu, or burrë!

Në munç të zbreç në trum e të mbash nderin,
Të hash me mbretin, e të pish me neferin,
Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë,
N’i daç të gjithë, po asnjë për dasmë;
Në munç për çdo minutë të përjetë,
Të rënç tamam sekunda gashtëdhjetë,
Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,
Dhe ca më mirë, qenke trim, or bir!

Shqipëroi Fan S. Noli

Në s’humbsh toruan kur të gjithë rreth teje
Humbur e kanë dhe thonë se ti ke faj;
Në paç besim tek vetja kur të tjerët s’kanë
Tek ty edhe dyshimn’ ti ua fal;
Në pritsh edhe nga pritja të mos lodhesh;
Në të gënjefshin, ti mos i gënjesh;
Në të urrefshin, ti mos i urresh;
I urtë shumë, as shumë i mirë s’tregohesh;

Në ëndërrofsh, por zot s’ke ëndërrimin;
Mendove dhe mendimet s’i ke si qëllim;
Në e takofsh Triumfin dhe Rrënimin,
Të dy mashtruesve u jep të njëjtin çmim;
Duron kur e vërteta jote ndrydhet
Nga horrat edhe lak bëhet për teveqelë;
Në pafsh atë ç’ke stisur që të thyhet,
Prap të ndërtosh me veglat bërë fërtele;

Në bëfsh një pirg me çka ti ke fituar,
Dhe në rrezik t’i hedhësh çift a tek,
Dhe të humbaç dhe prap duke filluar
Gojën ta qepësh përpara kur s’ke shtek;
Zemrën ti gur n’e bëfsh dhe nervat hekur,
Të të shërbejn’ dhe kur të thonë: Jo!
Dhe të qëndrosh asgjë kur s’të ka mbetur
Përveç vullnetit që të thot’: “Qëndro!”

Në flaç me turmën dhe të ruash nderin,
Me mbret të rish, por cakun mos kalosh;
Kur as armiq as miq s’ta duan sherrin,
Të gjithë kur ti i do, por kurrë mos ta teprosh;
Në e mbushç minutën që nuk të fal kurrë
Me gjashtëdhjetë sekonda në vrapim;
I tokës zot je, çdo gjë atje është jotja,
Dhe sidomos Njeri do jesh, o biri im!

Shqipëroi Vedat Kokona

Në mundsh…

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të renda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe BURRË do të jesh, o biri im!

Shqipëroi Robet Shvarc

Sikur

Sikur t’mund ta ruash mendjen nga dergja edhe at-here
Kur kretj bota e çmendur fajin kopil ta lë mbas dere;
Sikur t’mund t’i besosh vetes se ende ke burrni e nder
Kur krejt bota e flliqur hedh mbi ty rrena, bajga dhe vrer;
Sikur t’mund ta mundësh pritjen duke u mbajtur te shpresa,
A kur t’hedhin hi syve, t’hakmerresh duke shkepur drita,
A kur t’kafshon urrejtja, ta mëkosh dashurinë pa thersa
E prap t’mos dukesh fort fisnik pleqnar i kamur n’urtina.

Sikur t’mund t’ngarkohesh deri n’qiell me flori dhe lavdi
E për dy pika lot t’i humbasësh a t’ua vesh flakën,
T’mbetesh rrasë n’diell, nga fillimi t’ia nisësh përsëri
Pa t’shkuar ndërmend me than një gjysëm fjale për mandatën;
Sikur t’mund të prehesh si yll n’krahët e punës sate për jetë
Anipse t’u ka tha syri, dora, këmba, zemram mendja
E pa u rrëzuar të ecësh buzë greminës ditën e terrtë,
T’i biesh likpërmjet tmerrit pa u trembur hiç nga vdekja.

Sikur t’mund të ëndërrosh pa u mbytur në gjumë edhe në ëndrra,
Sikur t’mund t’mendosh pa u robnuar truri edhe gjuha,
Sikur t’mund t’lundrosh mespërmes detit me gaz edhe brenga
Pa t’u dehur shpirti e pa të futur ftigamën tuta;
Sikur t’mund ta kqyrësh t’vërtetën që the të shfytyruar,
Kthyer në kurthe ku batakçiu kap me lak të marrët,
A t’përballosh rrënimin e veprës sate t’pranuar
E prap t’ngrihesh dhe pa barna t’ia mbyllësh mundit plagët.

Sikur t’mund t’rrosh me qenin pa mësuar të lehësh flliqshëm
Apo t’jetosh pa ardhur era egërsirë;
Sikur t’mund t’qeshësh faqe miqsh e armiqsh njëlloj hijshëm,
Sikur t’mund t’i duash krejt njerzit pa dreqni e pa tepri,
Sikur t’mund t’ia marrësh me vrap e djersë minutës shpirtin,
E sekondat e saj t’i kthesh në djepe punësh t’arrira,
Toka do t’jepet para teje e ka me ta dhanë gjirin,
Do t’jesh NJERI, biri im, dhe kjo na qënka më e mira!

Shqipëroi Ukzenel Buçpapaj

Në qoftë se

Nëse do të mundesh të ruash gjykimin kur të gjith të tjerët e kanë humbur
Dhe fajin për këtë ua hedhin juve;
Nëse do të mundsh të besosh kur gjith dyshojnë në ju,
Bile t’u japësh edhe shkas dyshimi gjithashtu,
Nëse mund të presësh pa u lodhur nga pritja,
Apo të gënjehesh pa gënjyer ti asnjë fjalë,
Ose të ndihesh i urryer pa urryer ti vetë,
E megjithatë të mos dukesh as shumë i mirë, as shumë i zgjuar;

Nëse do të mund të ëndërrosh pa e lënë ëndrrën të bëhet zoti yt;
Nëse mund të mendosh, pa i bërë mendimet e tua qëllimin,
Nëse mund të takosh triumfin pas disfatës
E t’i presësh këto të dy gënjeshtare me të njëjtën fytyrë:
Nëse do të dëgjosh të vërtetën e thënë prej teje
Të shtrembëruar ligsht, sa bëhet lak për të marrët,
Ose të shohësh gjëra për të cilat jep jetën, të prishen para syve tuaj,
E me durim e mund t’i riparosh ato;

Nëse do të humbasësh me një goditje
Fitoren e 100 ndeshjeve,
E pa bërë zë për humbjen, t’ia nisësh nga fillimi
Pa bërë asnjë gjest e asnjë psherëtimë;
Nëse mund t’i detyrosh zemrën dhe nervat
Të të shërbejnë edhe kur ato kanë mbaruar,
Dhe të qëndrosh kur asgjë s’ka mbetur tek ju
Veç vullnetit që të thotë “MBAHU!”;

Nëse do të rrish me popull e të mbetesh i virtytshëm,
Apo të këshillosh mbretërit e të mbetesh popull,
Nëse as armiqtë as miqtë e dashur s’ia dalin të prishin zemrën tuaj
Nëse do t’i duash të gjithë si vëllezër pa qënë asnjëri gjithçka për ty;

Nëse do të shfrytëzosh minutën e rreptë
Me përkushtim të denjë – të artë,
Atëhere mbretërit, fati dhe fitorja do të jenë skllevërit e tu
Dhe ajo që vlen më tepër se mbretërit dhe lavdia, ti do të jesh NJERI, o biri im.

Shqipëroi Dine Dine

2 Comments

Mirbana 17 Mars, 2010 Reply

Me pelqeu versioni i F.S.N.
E bukur BANGO.

mahmut 15 Korrik, 2010 Reply

kisha shume deshire ta lexoja ne shqip por keto perkthime nuk i afrohen origjinales ne asnje aspect, me vjen keq qe kuptimi i kesaj te tingulloj kaq keq.

Lini një Përgjigje te mahmut Anuloje përgjigjen