Vijmë nga sezoni i provimeve dhe i pagimeve, nga i cili studentët dolën, ca me trurin plot e ca me xhepat bosh. Është e vështirë t’i thuash këto fjalë, por t’i mbash ato përbrenda është akoma më e vështirë. Edhe studenti më indiferent mund ta thotë me plot gojën se në universitetin tonë bashkëjeton me ne edhe një fenomen gangrenizues që ia thonë emrin “mitë”. Fatkeqësia është se askujt nuk i bëhet vonë për këtë. Me sa duket nuk i lejon karakteri demokratik ta ndalojnë këtë bashkëjetesë pasi që kjo e fundit është një nga bazat e shoqërisë së sotme demokratike. Në fund të fundit bashkëjetesa është e modës.
Në përgjithësi çdo student në universitetin tonë ka ardhur këtu duke e ditur që fenomeni i mitëmarrjes ekziston, sepse për këtë ka qenë përgatitore shkolla e mesme, por jam i sigurt se të paktë janë ata që e dinë se universiteti ynë është një qendër e dytë kambizmi në qytetin e Vlorës, megjithatë me një ndryshim të vogël nga ajo origjinalja, atje kthehet valuta në lekë kurse këtu lëndët në valutë.
Të krijohet përshtypja se në universitetin tonë të dashur edhe sistemi ekologjik është prishur; fermerët i korrin të mbjellat dhe i mbledhin frutat e pemëve një herë në vit, në vjeshtë kurse pedagogët tanë i vjelin frytet e punës së tyre tri herë në vit: në dimër, në pranverë dhe në vjeshtë (kjo e fundit është më e begata). Ndoshta është më mirë të themi se studentet “i shkundin” kokrrat e tyre në këto tri sezone? Është pak e vështirë ta përcaktosh se cila nga këto fenomene ndodh. Unë them se ndodhin të dyja; ato bashkëjetojnë dhe ushqejnë njëra tjetrën. Të lënë përshtypjen se janë ortakë të pandashëm, tipi i binjakëve Tjudëllti dhe Tjudëllta. Të dëgjosh që pedagogu i uli notën studentit apo e ngeli për para nuk të habit hiç; Në fakt aty s’ka vend fare fjala habi, këto gjëra janë bërë si buka me djathë. Por nga ana tjetër, të dëgjosh që një student që iu ngjit pedagogut nga mbas me zarf në dorë si dhelpra pas “brirëve” të dashit, nuk është aspak gjë e re. Madje jo nuk është bërë si buka me djathë por si uria malësorit migjenian. Dhe natyrshëm të vërshon nga thellësitë e memories shprehja e popullit tonë “mjerë Selmani nënës kë të qajmë parë”. Nuk di robi nga të hedhë sytë, është bërë të vësh duart në kokë dhe t’ia mbathësh nga sytë këmbët.
Por le të luajmë për një moment rolin e njeriut këmbëngulës, që u bën ballë problemeve dhe përpiqet t’u japë atyre një zgjidhje. E thamë dhe e lamë që pedagogët marrin ryshfet. Tani ngrihet pyetja çfarë duhet të bëjmë me ta. T’i pushojmë nga puna të gjithë? Sigurisht që jo! Pse? Sepse së pari, nuk ka kush të na japë mësim. Së dyti, jo të gjithë pedagogët e korruptuar janë njerëz të korruptuar. Disa nga pedagogët për shkak të ndjenjës së fortë për popullin tonë të mençur ndjekin këshillën e tij kur ai thotë “mos e shtyj të mirën me këmbë”. Duke u justifikuar me këtë dhe me rrogat e ulëta nuk i thonë ‘JO!’ zarfit pa pullë. Por ne nuk duhet të kërkojmë këta, ne duhet të kërkojmë njerëzit e korruptuar që punojnë si pedagogë. Jo për ndonjë arsye të fortë, por thjeshtë se këta e çojnë dëm talentin e tyre këtu; këta duhen çuar në doganë, kështu që duhet t’i heqim (qafe), se nuk i dihet, ndoshta fati u buzëqesh dhe fillojnë punë doganier dyqind metra më poshtë godinës së universitetit tonë. Këta janë ata që u ulin notën studentëve apo i ngelin fare, sigurisht jo për para. Ekziston edhe një lloj tjetër pedagogu. Këta nuk i japin njohuritë të plota në shkollë për të ushtruar një lloj tjetër të sofistikuar mitmarrje, (këtë lloj s’e zë as ligji); kurse në shtëpi apo konsultime në prag provimesh. Të mos harrojmë ekzemplarët e kategorisë së tretë ( këta janë më të rrallë, fatmirësisht) që ta thonë troç, (janë të sinqertë, jo për ndonjë gjë) më jap kaq të të kaloj ose të të vë këtë notë.
Në anën tjetër të lumit, kemi studentë që nuk e meritojnë fare këtë emër, që paguajnë katër a pesë vjet për të marr një copë karton në fund. Edhe këtu kemi ndarje në grupe: kemi ca pemë studentore që shkundin ndonjëherë ndonjë degë sepse në degën që studiojnë nuk e kishin parashikuar të bënin ndonjë lëndë që se kanë mësuar asnjëherë e as kanë ndërmend ta mësojnë dhe i bien shkurt. Nuk jam aspak dakord me veprimin e tyre, por duke parë më tej të imponohet t’i justifikosh. Vjen një shtresë tjetër studentësh që nuk e lënë të falimentojë Teta Shitësen ambulante që shet zarfe diku rrotull dhe që u shpërthen një vrull rinor që të përzënë çdo profesor me zarf në dorë. Kemi pastaj edhe ekzemplarët e rrallë, që e bëjnë kontratën para se të hyjnë në shkollë. E bëjnë pagesën njëherësh për të gjitha vitet, me sa duket, tek ndonjë person më influencë, dhe më interesantja është kur i shikon me mesatare më të lartë se ata që bëhen për syze.
Problemi qëndron se nuk i gjejmë dot themelet gjithë kësaj ndërtese allishverishesh.
Pas gjithë këtyre që thamë të krijohet përshtypja se fajin më këtë mes e kanë studentët, sigurisht pak të inkurajuar nga pedagogët. Studentët gjejnë treg dhe bëjnë tregti. Megjithatë, të paktën në teori, duket më e lehtë të shkatërrosh tregun sesa t’u ndryshosh profesionin tregtarëve. Pra puna për minimizimin e kësaj dukurie duhet të fillojë nga pedagogët duke qenë se janë më të paktë në numër dhe duke pasur një epror mbi krye që monitoron punën e tyre dhe gjithashtu është më e lehtë të merren masa ndëshkimore ndaj tyre. Në fund të fundit frika e bën njeriun të ndërgjegjshëm.