Drejtoria e Antiterrorit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka depozituar një kallëzim penal ndaj meje për veprën “Nxitje të Urrejtjes dhe Grindjeve“, vepër që dënohet me dy deri në dhjetë vjet burg.
Akuza: “Nga këqyrja e të dhënave në internet rezulton se në profilin e tij, ku ai prezantohet si programues, aktivist dhe shpreh hapur mbështetje për Palestinën, janë publikuar një sërë postimesh dhe komentesh gjatë periudhës tetor-dhjetor 2025 me përmbajtje polemike, nxitëse dhe denigruese të lidhura me çështje fetare, politike dhe ndërkombëtare.“
Provat e paraqitura janë postimet e mia ku unë denoncoj politikanët e grupimit Aleatët e Izraelit në Parlamentin Shqiptar, gazetarët që u bënë pjesë e makinerisë propagandistike izraelite dhe reagimin ndaj Ben Blushit për përdorimin e termit denigrues ‘islamik’ në vend të atij ‘mysliman’.
Interesant është fakti që monitorimi i profilit tim ka nisur vetëm pas kallëzimit penal që unë kam bërë për kriminelin e luftës, kryerabinin e Shqipërisë, Yoel Kaplan.
Fatmirësisht, prokurorja e çështjes, Alba Meta, nuk e ka regjistruar çështjen për mungesë elementësh të veprës penale. Gjej rastin ta falënderoj për profesionalizmin e treguar për këtë çështje.
Video sqaruese për kallëzimin penal
Më poshtë është lista e plotë e postimeve që Antiterrori ka listuar si prova:
Postimi #1
Në një postim të datës 26.10.2025, shtetasi Baki Goxhaj përfshihet në debate ku shpreh qëndrime të ashpra mbi konfliktin Izrael-Palestinë, duke përdorur gjuhë fyese dhe duke kundërvënë interesin kombëtar shqiptar me mbështetjen për Palestinën, si dhe duke justifikuar qëndrimet e tij mbi baza fetare dhe ideologjike.
Nuk ka detaje se ku jam përfshirë në këto “debate”. Nuk përkon me asnjë nga postimet e mia.
Postimi #2
Në postimin e datës 04.12.2025, ai kritikon ashpër një grup gazetarësh dhe përfaqësuesish të medias shqiptare që kanë vizituar Izraelin, duke i etiketuar ata si bashkëpunëtorë të një “entiteti vrastar” dhe duke publikuar emrat e tyre, çka vlerësohet si akt denigrues dhe potencialisht nxitës i urrejtjes ndaj individëve të caktuar.

Postimi #3
Në një postim tjetër të datës 24.11.2025, ai reagon ndaj një komunikate zyrtare të Policisë së Shtetit për ndalimin e dy personave të dyshuar për prirje radikale islamike, duke e konsideruar përmendjen e përkatësisë fetare si një akt diskriminues dhe si shkelje të lirisë së ndërgjegjes fetare.

Postimi #4
Në postimin e datës 26.11.2025, shtetasi Baki Goxhaj kundërshton publikisht përdorimin e termave “myslimanë” dhe “islamikë”, duke i cilësuar ato si nxitëse të urrejtjes dhe diskriminimit ndaj besimtarëve myslimanë dhe duke paralajmëruar rrezik për dhunë.

Postimi #5
Ndërsa në postimin e datës 12.11.2025, ai sulmon drejtpërdrejt deputetë shqiptarë të cilët kanë firmosur një rezolutë në mbështetje të Izraelit, duke i akuzuar ata për bashkëpunim me politika që, sipas tij, bien ndesh me interesat e myslimanëve dhe të Palestinës.

Postimi #6
Në një tjetër postim të datës 26.10.2025, ai shpreh pakënaqësi për ndalimin e hyrjes në Shqipëri të një predikuesi islam, duke e cilësuar veprimin e institucioneve shtetërore si përndjekje ndaj besimtarëve myslimanë.

Me këtë kallëzim penal ndaj menje, duket se parashikimi im i shprehur në postimin e fundit se “dhuna e sistemit zionist të Ramës sa do të vijë e do të thellohet ndaj besimtarëve muslimanë, sidomos atyre që janë të zëshëm” doli i vërtetë.

Lini një Përgjigje