Nga media jemi bombarduar me lajme rreth shpërthimit fatkeq të Gërdecit dhe shkaqeve të shkaktimit të saj. Po ashtu u njohëm me disa protesta që kërkonin dorëheqjen e pushtetarëve dhe me fakte shumë tronditëse të kushteve të punës dhe teknike të fabrikës së çmontimit. Këto fakte këta qytetar të nderuar duket se i kanë ditur edhe më parë, por vendosën t’i thoshin vetëm në këmbim të 16 viktimave, 240 e ca të plagosurve, një duzine të zhdukurish pa nam pa nishan dhe miliarda lekë dëme materiale. Është më se normale që të ngresh disa pyetje rreth kësaj sjelljeje civile të këtyre qytetarëve. Përse nuk i kanë denoncuar më parë këto fakte qytetarët? Përse ranë dakord të çonin fëmijët e tyre të bënin një punë të tillë dhe absolutisht askush nuk e ngriti si problem? Përse askush nuk u ankua që depoja dhe fabrika e çmontimit të municioneve ishte shumë afër vendbanimit të tij? Përse ju intereson dorëheqja e pushtetarëve qytetarëve të thjeshtë? Këto pyetje kanë nevojë për përgjigje.